Ankthi
Pershendetje, kam sulme te panikut, ankth, stres, dhe depresion. Jam shume i vetmuar. Nuk po mund te mbijetoj, cfare te bej ?
Pershendetje, kam sulme te panikut, ankth, stres, dhe depresion. Jam shume i vetmuar. Nuk po mund te mbijetoj, cfare te bej ?
Përshëndetje Niti,
Më vjen keq që ndihesh i vetmuar dhe i pashpresë. Duket që vuatja jote ka ndërhyrë në përditshmërinë tënde dhe e ke të vështirë, por të dalësh nga kjo gjendje nuk është e pamundur. Sulmet e panikut, ankthi, stresi, depresioni trajtohen me anë të ndihmës së duhur nga një psikolog klinik/ psikoterapist dhe/ apo medikamenteve të sugjeruar nga një psikiatër. Trajtimi kërkon kohë por është i mundur. Është e rëndësishme të kuptosh që një pjesë e madhe e të rinjve vuajnë nga probleme të shëndetit mendor dhe ti nuk je vetëm. Kam përshtypjen se këto probleme kanë kohë që të kanë filluar dhe ti ia ke dalë të mbijetosh, pavarsisht gjithë vuajtjes tënde.
Të sugjeroj të flasësh me persona që ke besim dhe të duan, familjare, të afërm, miq. Kërko ndihmë tek ata dhe shprehu në lidhje me gjendjen tënde. Mund të kuptosh se pavarsisht se ndihesh vetëm, ke persona që duan të të ndihmojnë. E rëndësishme është të identifikosh burimin e simptomave të tua të panikut, ankthit, apo depresionit. Në momentin që kupton burimin dhe punon me të, simptomat ulen në intesitet dhe në shpeshtësi. Sigurisht, këtu do të të nevojitet ndihma e një profesionisti të shëndetit mendor, psikolog klinik/ psikoterapist. Simptomat e tua tregojnë se është momenti që duhet ti kushtosh rëndësi gjendjes tënde psiko-emocionale dhe të kërkosh ndihmë kërkon shumë kurajo dhe unë besoj se ti e ke këtë kurajo ashtu sic e gjete për të shkruajtur në faqen tonë.
Të uroj më të mirat!
Bylyre Serjanaj, Psikologe Klinike